Gjergj Vyshka 16.10.2014 18:55
Besa e Kavajës, ashtu siç e ka pasur traditë çdo herë për miqësore, sërish ka zgjedhur Tomorin. Madje ka qenë ndeshja e parë e trajnerit të kavajasve Bledar Sinella, i cili ka zënë vendin e të dorëhequrit Artan Mërgjyshi. Besa ka fituar 3-1 me Tomorin, ndërsa beratasit kanë pretenduar për një gol në pozicion jashtë loje të kavajasve në pjesën e parë.
Të besuarit e trajnerit Eqerem Memushi kanë barazuar, por më pas kanë ardhur dy gola të kavajasve, të cilët e kanë mbyllur ndeshjen me fitore, 3-1. Nëse në pjesën e parë skuadrat kanë luajtur me formacionet e tyre më të mira, në të dytën ka pasur zëvendësime, çka kanë ulur ritmin e lojës. Por ajo që kërkohet në këto momente është fitorja e munguar prej gjashtë javësh e Besës në kampionat.
Ndërkaq, edhe Stavri Nica e ka nisur me fitore te Mamurrasi. Dukej sikur Sopoti nuk kishte ndërmend të bënte miqësore, sepse Stojku ka refuzuar dhe Dinamon për një ndeshje të tillë të shtunën. Mirëpo dje paradite, skuadra librazhdase ka qenë përballë Mamurrasit, që ka fituar 1-0, ndërsa kështu Nica e ka nisur mbarë në krye të pankinës së Mamurrasit.
Madje ka vazhduar traditën e rezultateve pozitive, ndërsa Mamurrasi, së bashku me Besëlidhjen, kryesojnë grupin e Veriut në Kategorinë e Parë. Në përgjithësi një ndeshje e kontrolluar prej mamurrzakëve, ndërsa librazhdasit ende nuk po dalin në lojën e tyre më të mirë.