Gjergj Vyshka 18.08.2017 09:45
Peshëngritja shqiptare rikthehet në pedanën e veprimtarive kombëtare, ndërsa sot në mesditë e deri në mbrëmje vonë, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit do të zhvillohet Memoriali i talenteve të reja “Lumturi Sulaj”. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni, kjo veprimtari është në vazhdën e përkujtimit të figurave të shtangës shqiptare.
Pa harruar këtu dhe bashkëpunimin me Klubin Shumësportësh “Teuta”, aq më tepër që Kreshnik Leka është dhe anëtar i Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Por ky memorial ka një veçanti, sepse, sipas Haxhihysenit, do të jetë përzgjedhës për ekipin kombëtar të moshës deri në 15 vjeç dhe deri në 17 vjeç, i cili, nga data 23, deri më 30 shtator do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian.
Ky kampionat kontinental i shtangës së grupmoshave do të zhvillohet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Po kështu gara e sotme do të jetë dhe një testim për Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, i cili, nga data 15, deri më 22 tetor 2017, do të mirëpresë Kampionatin Evropian të Të Rinjve dhe të Nën-23-vjeçarëve. Pra Memoriali “Lumturi Sulaj” është testim për të gjithë në peshëngritjen shqiptare.