Gjergj Vyshka 25.07.2017 16:10
Dyshja shqiptare e volejbollit të plazhit për djem, Adri Arapi dhe Redi Bakiri, ka marrë medaljen e bronztë në Kampionatin Ballkanik të moshës deri në 20 vjeç, që të dielën është mbyllur në Prishtinë.
Ky çift u drejtua nga trajneri Andi Lundra, ndërsa në këtë Ballkaniadë ka bërë një paraqitje të mirë, duke i siguruar Shqipërisë një tjetër medalje për mosha, pas asaj të Ballkaniadës së të rinjve në sallat e mbyllura (medalje argjendi).
Dyshja Arapi-Bakiri ka treguar një nivel të mirë në këtë turne duke rivalizuar në të gjitha ndeshjet dhe fituar në tri prej tyre. Në këtë turne mori pjesë edhe një dyshe për vajza, Paola Gjata dhe Ariela Bardhollari.
Por kjo dyshe i humbi të gjitha ndeshjet e zhvilluara në këtë turne, në fazën eliminatore, duke mos u kualifikuar dot për në fazën finale.