Gjergj Vyshka 14.06.2017 07:55
Ditët Olimpike, apo Java Olimpike, e cila është organizuar në të gjithë vendin dje janë mbyllur zyrtarisht. Në mjediset e Hotelit “Mondial”, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka bërë falënderimin e partnerëve, që bën të mundur zhvillimin e këtyre ditëve olimpike.
Dhe sigurisht që zhvillimi i tyre ka pasur dhe përgjegjës, të cilët janë Eda Çaushi, si dhe kryetari i komisionit të sportit për të gjithë në KOKSH, që është njëkohësisht dhe anëtar i Komitetit Drejtues, Ilir Gusho.
E nëpërmjet një videoje janë shfaqur aspektet e këtyre ditëve olimpike, atje ku janë zhvilluar vlerat olimpike, miqësia dhe gjithëpërfshirja. Jo vetëm kaq, por të gjitha këto manifestime sportive kanë pasur për qëllim zbulimin e talenteve të reja në sport.
Por, gjithashtu edukimin me ndjenjën e Fair-Play, apo të barazisë gjinore. Madje ideja ka qenë ruajtja e traditave sportive, sepse në këto ditë olimpike, përveç sporteve tradicionale, ka qenë në program dhe lojërat popullore.
Pa harruar që nëpërmjet mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, apo programeve të Federatave Botërore, janë futur në këto ditë olimpike si ide xhudo në shkolla, shahu në shkolla e hendbolli në shkolla.