AlbanianSport.com 13.06.2017 15:15
ASNN – Kënaqësi dhe gëzim në klubin e volejbollit LPM Mondovì, për rikonfirmimin e asaj që ishte zbulimi i sezonit të shkuar, Erblira Bicit. Volejbollistja e re premtuese, shqiptarja Era Bici arriti verën e shkuar në Mondovì, duke zhvilluar sezonin e saj të parë jashtë Shqipërisë. Një sezon me të vërtetë i shkëlqyer, me shifra që do t’ia kishin zili edhe “veterane” të volejbollit, pasi kanë qenë plot 449 pikët e shënuara nga Bici, me një mesatare prej 17 pikësh për çdo ndeshje.
“Jemi me të vërtetë të lumtur që kemi arritur një marrëveshje të re me Erën”, – ka deklaruar drejtori sportiv i këtij klubi, Paolo Borelo. – Përveçse është një sportiste me kapacitet fizik dhe teknik të padiskutueshme, ajo ka dëshmuar që ka edhe një dëshirë të madhe për t’u rritur dhe për të mësuar. Ajo është e lidhur tashmë me fanellën tonë, me realitetin tonë dhe, për ne, kjo është me të vërtetë e rëndësishme.” Edhe shqiptarja e ka vlerësuar mjaft këtë rinovim.
“Jam shumë e lumtur që mund të konfirmoj që do të jem edhe për një vit tjetër tek LPM Mondovì, – ka theksuar 22-vjeçarja, duke folur nga Tirana, ku është e grumbulluar me ekipin përfaqësues të Shqipërisë. – Dua ta falënderoj gjithë klubin dhe stafin që kanë besuar edhe një tjetër tek unë! Falë tyre dhe përvojës që kam përfituar gjatë një viti në tek Mondovìja, po bëj në parket një paraqitje të mirë me Kombëtaren shqiptare. Hëpërhë, jam e përqendruar tek 3 ndeshjet e radhës dhe shpresoj të paraqitem mirë.”
Erblira Bici është hëpërhë e përfshirë me Kombëtaren shqiptare, që po merr pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës në volejboll për femra. Shqipëria ndodhet në grupin A, së bashku me Bjellorusinë, Finlandën dhe Austrinë. Faza e parë u zhvillua pikërisht në Tiranë dhe përfaqësuesja vendase është paraqitur mjaft mirë, duke mundur Bjellorusinë, ku Bici ishte shënuesja më e mirë, me 33 pikë, dhe Austrinë, ku ajo realizoi 21 pikë, nga të cilat 3 nga shërbimi dhe 4 në bllok.
Era është e dyta në renditjen e përgjithshme të ndërthurur të shënueseve më të mira të gjithë kësaj veprimtarie, me 70 pikë të realizuara deri më tani, me një mesatare prej 6,36 pikësh të realizuara për çdo set. Faza e dytë e grupit A të Ligës së Evropës do të zhvillohet në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, nga data 16, deri më 18 qershor 2017.