Gjergj Vyshka 13.06.2017 14:20
Flamurtari-Vllaznia do të jetë finalja e titullit “kampion” në futbollin e sallës, që do të zhvillohet të enjten në ora 17:00 në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Flamurtari ka eliminuar në gjysmëfinale Tiranën, ndërsa koha e rregullt ka përfunduar 2-2.
Edhe shtesa prej pesë minutash ka përfunduar në barazim 1-1 dhe totali ishte 3-3. Kështu që janë kërkuar gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltisë, atje ku ka triumfuar Flamurtari 3-2. Ndërkohë Vllaznia ka mundur Edro Vlorën, 5-2. Sakaq kampionia do të ndeshet më pas edhe me fituesen e ligës amatore.
Por ama, “kampionia” zyrtare e sezonit 2016-2017, apo pjesëmarrësja e Shqipërisë në Kupën “UEFA” në futbollin e sallës do të dalë pikërisht nga çifti Flamurtari-Vllaznia. Flamurtari, sa për histori, është kampione në futbollin e sallës dy herë në sezonet 2010-2011 dhe 2013-2014.
Kurse për Vllazninë është dalja e parë në finalen e madhe të titullit “kampion”, çka pritet ta bëjë këtë ndeshje më të fortë.