AlbanianSport.com 12.06.2017 21:25
ASNN – I kënaqur, më tepër me lojën dhe karakterin që skuadra e tij dëshmoi në parket, por edhe me rezultatin. Kështu është ndierë trajneri i Kombëtares kuqezi të volejbollit të femrave, Altin Martiri, pasi Shqipëria e ka mbyllur me fitore gjysmën e parë të grupit A të Ligës së Evropës, duke mundur Bjellorusinë 3-1 në takimin e tretë.
“Përballë kishim një kundërshtar të vështirë, – i tha ai RTSH-së. – Ashtu siç po zhvillohej loja edhe nëse do të humbiste Shqipëria unë do isha i kënaqur. Skuadra po luante mirë, po luante bukur dhe ne po u dhuronim spektatorëve spektakël.” Kurse për kapitenen Arjola Prenga, rezultati ka qenë shpagimi më i mirë për mundin në stërvitje.
“Sigurisht ndjehem e lumtur, e shpërblyer për punën që kemi bërë. Por nuk ka mbaruar e gjitha pasi javën tjetër do të jemi në Rusi” i tha Prenga RTSH-së. Trajneri Martiri beson se edhe në Bjellorusi, Shqipëria e tij do të japë gjithçka. “Do të tentojmë me të gjitha mënyrat që t’i fitojmë, pse jo të treja ndeshjet” thotë ai.
Ndërsa Prenga tregohet e kujdesshme, duke thënë se Tirana ishte vetëm gjysma e punës. “Ne shpresojmë që edhe në Bjellorusi të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe të marrim suksese” – thotë volejbollistja e shquar. Ndeshjet e kthimit të grupit A të Ligës së Evropës luhen në Bjellorusi në data 16, 17 dhe 18 qershor 2017.