AlbanianSport.com 12.06.2017 20:40
ASNN – Kampionati Evropian i disiplinës së bilardos që njihet si “snooker”, i cili u zhvillua në Shëngjin, duke nisur nga 31 maji, e deri më 11 qershor 2017, ka ulur siparin e tij, duke shpallur edhe kampionët e rinj kontinentalë. Në këtë Kampionat, që ka mbledhur në Shqipëri 227 më të mirët e 30 vendeve të kontinentit, është konkurruar në 4 kategori të kësaj disipline, në atë të 6 të kuqeve, në atë “të hapur”, në atë ekipore (Femrat, Meshkujt dhe Mjeshtrat) dhe në atë individuale (Femrat dhe Mjeshtrat).
Kanë qenë gjithsej 34 gjyqtarë ndërkombëtarë që kanë gjykuar në këtë Kampionat Evropian Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, kombëtare apo ndërkombëtare, edhe të gjitha ndeshjet më të spikatura të këtij Kampionati Evropian të Snooker-it erdhën për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Në turneun e 6 të kuqeve, që u zhvillua përgjatë 3 ditëve të para, triumfoi islandezi Kristjan Helgason.
Ndërkohë, më pas kanë vijuar ndeshjet e kategorisë së hapur, ku, në përfundim, ka qenë veterani uellsian Darren Morgan ai që ka triumfuar, duke u shpallur “kampion” i kontinentit. Ndërsa në finalet e kategorive të tjera, Uendi Jans e ka mbrojtur me sukses kurorën e saj si “kampione” individuale e kontinentit për femra, duke triumfuar në finale ndaj lituanezes Ana Prisazhnjuka me rezultatin 5-1.
Ndërkohë, ndonëse ishin shokë skuadre në gjysmëfinalen ekipore të mjeshtrave, ka qenë Darren Morgan ai që ka triumfuar ndaj bashkëatdhetarit të tij Elfed Evans, duke bërë gjithë të vetën trofeun e “kampionit” individual të kategorisë së mjeshtrave, duke fituar me rezultatin 6-2 dhe duke mbrojtur për të 3-tin vit radhazi titullin. Sa i përket garave ekipore, Uellsi 1 ka mposhtur bindshëm Irlandën 1, duke siguruar kurorën e kampiones së Evropës për meshkuj, falë fitores së pastër 5-0.
Ndërkohë, Irlanda ka dështuar gjithashtu edhe në finalen e mjeshtrave, pasi u mund 1-4 nga Islanda. Kampioni i saposhpallur i 6 të kuqeve, Kristjan Helgason, përkrah bashkëatdhetarit të tij Jon Ingi Aegison i siguruan ekipit nordik fitoren. Dhe, së fundi, Belgjika 1 i ka mohuar Rusisë 1 mbrojtjen e titullit të fituar vjet, duke e mundur me shifrat 4-3. Vendimtare ka qenë loja e kampiones së sapokurorëzuar individuale Uendi Jans, e cila i ka siguruar Belgjikës edhe suksesin ekipor për femra.