AlbanianSport.com 12.06.2017 18:50
ASNN – Grupi G i Eliminatoreve të Botërorit vazhdon të kryesohet nga Spanja dhe Italia me nga 16 pikë. “La Furia Roja” nuk e pati të lehtë në Shkup ndaj vendasve megjithatë fitoi 2-1, ndërsa Italia shënoi 5 herë në portën e Lihtenshtejnit.
Për Spanjën situatën e ndeshjes e zgjidhën David Silva dhe Diego Kosta me golat e tyre në pjesën e parë. Spanjollët dominuan fushën, megjithatë u treguan edhe cinikë. Në pjesën e dytë, Ristovski u duk se do ta rihapte sfidën, me golin e shënuar pas pasimit të Goran Pandevit. Maqedonasit ishin të pafuqishëm.
Në Udine, skuadra e Venturës e kishte si një shëtitje. Lorenzo Insinje shënoi i pari e pas tij me radhë Beloti, Eder, Bernardeski dhe, në fund Gabiadini. Spanja dhe Italia kanë sfidë me njëra tjetrën për vendin e parë teksa nuk e diskutojnë kualifikimin. 7 pikët më shumë se Shqipëria dhe Izraeli 4 ndeshje para përfundimit të fushatës janë faktorë qetësie për të dy këto përfaqësuese të mëdha të kontinentit.