Gjergj Vyshka 12.06.2017 13:25
I paarritshëm Rafael Nadal, spanjolli që merr titullin e tij të 10-të në “Roland Garros” duke mundur në finale 3-0 (6-2, 6-3, 6-1) Stan Vavrinkën për dy orë e pesë minuta. Mbresëlënëse ecuria e Rafës në këtë edicion të turneut parizien në tenisin botëror, ku nuk ka humbur qoftë dhe një set të vetëm.
Zvicerani, kampioni i “Roland Garros”-it më 2015-ën, ka ofruar pak rezistencë. Nadal kalon gjithçka pa shumë pengesa. Që nga 2005-a, viti i parë që ka dalë fitues në Paris, Nadal nuk e ka fituar këtë turne të madh të tenisit botëror vetëm më 2009-ën, 2015-ën dhe 2016-ën.
Në këtë sezon, 31-vjeçari nga Manakori ka humbur vetëm në turin e çerekfinaleve të turneut të Romës përballë austriakut Tiem, duke e mundur më pas për herë të dhjetë në Montekarlo dhe Barcelona.