AlbanianSport.com 12.06.2017 07:55
ASNN – Kombëtarja kuqezi ka korrur fitoren e 3-të në 6 ndeshjet e deritanishme të Grupit G të Eliminatoreve të Botërorit 2018, duke triumfuar në Izrael ndaj përfaqësueses vendase me shifrat 3-0. Takimi i zhvilluar në Haifa dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në një transmetim maratonë, ka patur emrin e Armando Sadikut, sulmuesit që ka shënuar dy prej golave.
Shqipëria është rikthyer tek fitorja pas mëse 9 muajsh dhe një vazhde prej 5 humbjesh radhazi, duke shtangur Izraelin në fushën e vet me rezultatin 3-0 dhe duke u hakmarrë kështu për atë humbje me të njëjtat shifra që kuqezinjtë patën pësuar në ndeshjen e parë në Elbasan. Për më tepër, me fitoren e sotme, Shqipëria ka marrë vendin e 3-të në grup, me 9 pikë, po aq ka edhe edhe Izraeli, që, për çështje golaverazhi zbret një shkallë më poshtë në renditje.
Në fakt, takimi i zhvilluar në Haifa dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në një transmetim maratonë, ka patur emrin e Armando Sadikut, sulmuesit që ka hyrë tashmë në histori si shënuesi i golit të vetëm të Shqipërisë në një Evropian. Futbollisti që e mbylli sezonin në kampionatin zviceran, ka përfituar nga një gabim i mbrojtjes vendase, duke finalizuar me sukses në minutën e 22-të dhe duke kaluar kuqezinjtë në epërsi.
Shqipëria do të administrojë epërsi dhe do ta dyfishojë atë dy minuta para fundit, kur është sërish Sadiku që shënon nga një largësi pak më e madhe, duke thyer për herë të dytë portierin vendas. Me epërsinë dygolëshe do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të sjellin edhe një gol tjetër kuqezi, këtë radhë me autor Ledian Memushajn, i cili finalizon me sukses në minutën e 70-të. Izraeli përpiqet, por edhe atëherë gjen Strakoshën e ri në formë të shkëlqyer dhe në fund, Shqipëria fiton 3-0 dhe rikthen shpresën.