Gjergj Vyshka 16.10.2014 14:25
Ndryshe nga të gjitha kampionatet e futbollit shqiptar, të cilat janë ndërprerë për shkak të ndeshjeve të ekipeve kombëtare të të rriturve, Nën-21-vjeçarëve dhe Nën-19-vjeçarëve, futbolli i femrave është gjendur në fushën e lojës. Është luajtur java e 7-të, e cila sërish ka prodhuar bollëk golash dhe rezultate të thella. Në 6 ndeshjet e luajtura janë shënuar 50 gola, që i bie mesatarisht rreth 8 gola për ndeshje. Çka tregon diferencat e mëdha që kanë skuadrat pretendente për titull me ato të dobëtat.
Dhe pasoja është gjithnjë një përfaqësim i mjerë në ekipin kombëtar të të rriturave, atë në Nën-19-vjeçareve dhe për më tepër në Kupat e Evropës. Sakaq ajo që vazhdon të bëhet “tabelë qitjeje” është AAS e Shkodrës, e cila në 7-të javë kampionati, teksa ende nuk ka përfunduar faza e parë e edicionit të gjashtë kombëtar të futbollit të femrave, ka pësuar 74 gola. Vetëm dje ka pësuar 14 gola nga Tirana AS, e cila është kthyer tek fitorja, ndërsa është ngjitur në kuotën e 10 pikëve.
Madje ka rregulluar dhe golaverazhin, ndërsa në ndeshjen e djeshme kanë shënuar Mema tre herë, Kodra tre herë dhe po kaq edhe Tuci. Dygolësh për bardheblutë ka realizuar Tola e më pas nga një gol ka shënuar Gjinaj, Beqiraga e Ndoci. Në këtë takim, formacioni i Tirana AS ka qenë: Rripa, Beqiraga, Ndoci, E. Kolgjini, Gjici, Koçeku (D. Kolgjini), Gjinaj, Mema, Tuci, Tota, Kodra. Ndërkohë Kukësi dhe Vllaznia, të cilat kryesojnë së bashku futbollin e femrave me 21 pikë secila, janë gjithnjë në kërkim kush e kush të shënojë më shumë gola.
Kukësi ka shkaktuar “tërmet 9-ballësh” për Elbasanin, kurse Vllaznia ka fituar në fushë të huaj me Kinostudion, me shifrat ironike 8-2. Janë kthyer tek fitoren Juban Danja, e cila ka mundur Apoloninë, 10-0, dhe “The Door”, që ka fituar ndaj Dajtit, 7-0. I vetmi barazim pa gola është arritur në Durrës mes Shkëndijës vendase dhe Bilisht Sportit. Përgjithësisht ndeshje të qeta, por që nuk prodhojnë asnjë lloj bukurie për shkak të mungesës së rivalitetit.
Kampionati i 6-të kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 7-të
(15 nëntor 2014)
Apolonia – Juban Danja 0-10
Kinostudio – Vllaznia 2-8
Shkëndija Durrës – Bilisht Sporti 0-0
Tirana AS – AAS 14-0
Dajti – The Door 0-7
Kukësi – Elbasani 9-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Kukësi 7 7 0 0 59-1 21
- Vllaznia 7 7 0 0 58-5 21
- Kinostudio 7 5 0 2 39-13 15
- The Door 7 5 0 2 21-10 15
- Juban Danja 7 4 1 2 50-12 13
- Tirana AS 7 3 1 3 25-21 10
- Shkëndija Durrës 7 3 1 3 16-16 10
- Elbasani 7 2 1 4 8-25 7
- Bilisht Sporti 7 1 2 4 11-39 5
- Dajti 7 1 0 6 3-42 3
- Apolonia 7 0 2 5 6-39 2
- AAS 7 0 0 7 1-74 0