Nga Ilir Mborja 03.06.2017 15:15
Brezi i Vaso Shakës e kishte të vështirë t’i lëshonte vendin më të rinjve dhe Spiro Shano nuk ia përtonte askujt për të marrë që donte. Në një foto, që u shkrep në Përmet para pak muajsh, kjo me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” basketbollistit të shquar Gazmend Çaçi, mes personaliteteve të ftuar ishin edhe disa miq të tij, që ai i ka njohur në Pallatit e Sportit.
E veçanta qëndronte tek numri “11” që mbante fanella e një dinamoviti tjetër atë ditë në Përmet. Në këtë foto, tek fanella e Çaçit dallohet qartë numri “11”. Edhe tek ajo e Spiro Shanos vërehet po numri “11”. Në bisedën e gjatë me këtë legjendë të basketbollit tonë mësova se numri “11”, që ai kishte mbajtur gjatë jetës së tij sportive, ishte i një basketbollisti të madh italian.
Bëhet fjalë për Dino Meneginin, bashkëkohës i tij (1950) që luante në qendër dhe ishte idhulli i gjithë basketbollistëve. Të mbaje numrin “11” në basketboll ishte si të mbaje numrin “10” në futboll, që nënkuptonte lojtarin më të mirë të pesëshes. Por kjo sigurisht nuk ishte e lehtë për cilindo…
Duke kujtuar rrugën sesi mbërriti tek fanella me numrin “11”, Spiro Shano e nis bisedën duke shprehur bindjen e tij se: “Çdo njeriu që të jetë i suksesshëm, si p.sh Dino Menegini, i nevojiten tri gjëra: TALENTI, FATI dhe PUNA. Dy të parat janë dhuratë e natyrës. Vetëm puna është ajo që ka në dorë të vet njeriu”.
Vijon nesër…