Gjergj Vyshka 16.10.2014 13:45
Kampionati Kombëtar i Mundjes për të rritur nuk ka pasur vetëm probleme në stilin klasik. Por një gjë e tillë është vënë re dhe në stilin e lirë, atje ku finalja e peshës 57 kg është përsëritur dy herë. Në duelin e parë mes Islamajt dhe Rexhës, gjyqtari Vasfi Hoxha ka dhënë fitore me “tuç” për durrsakun. Por që është kundërshtuar ashpër nga trajneri i Kukësit, i cili ka pretenduar se ka qenë jashtë tapetit dhe për këtë ka kërkuar dhe hapjen e regjistrimit filmik.
Për më shumë se sa 20 minuta debati ka vazhduar derisa është vendosur që kjo finale të përsëritej në fundin e të gjitha ndeshjeve. Teuta e Kukësi ka qenë në pikë të barabarta deri në finalen e peshës 57 kg, atje ku duhen veçuar fitoret me “tuç” të Edon Shalës ndaj Paris Karepit dhe Egzon Shalës ndaj Fatjon Baros. Dhe me pikë ka fituar Islamaj, madje me superioritet pikësh, ndaj dhe Teuta është kampione e Shqipërisë në mundjen e lirë.
Ndërkohë që duhet theksuar se mundësi më i mirë i këtij stili është shpallur shkodrani Qazim Bajrami, jo vetëm sepse ka bërë ndeshje të bukura, por ka fituar dhe ndaj Osman Hajdarit të Tiranës, i cili është dhe përfituesi i bursës olimpike nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Megjithatë mundja shqiptare i ka dhënë fund aktiviteteve kombëtare, ndërsa tashmë pret aktivitetet ndërkombëtare.
Ndërkohë nuk kanë munguar dhe debatet mes sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Mundjes, Ndriçim Spahiu, me Zylfi Shehun, i cili ka pasur pretendimet e tij se pse nuk është përfshirë në listën e gjyqtarëve të aktivitetit.