AlbanianSport.com 02.06.2017 07:00
ASNN – Vllaznia është kurorëzuar të enjten “kampione” e Shqipërisë për grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve, pasi ka fituar në finale lotarinë e 11-metërshave me Partizanin. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive kombëtare, edhe kjo finale, e luajtur në Stadiumin “Elbasan Arena”, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit për grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve ka luajtur të enjten finalen e këtij sezoni, duke kurorëzuar Vllazninë si kampionen e saj të re. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive kombëtare, edhe kjo finale, e luajtur në Stadiumin “Elbasan Arena”, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Partizani erdhi në këtë sfidë pasi kishte triumfuar bindshëm, 4-2 në gjysmëfinale ndaj Skënderbeut, ashtu sikundër bëri edhe Vllaznia, që mposhti 3-0 Flamurtarin. Për këtë arsye, pjesa e parë e kësaj përballjeje ka qenë kryesisht e barazpeshuar dhe të dyja skuadrat kanë guxuar dhe kanë luajtur hapur, duke krijuar dhe shkuar dëm disa raste të volitshme për shënim.
Por vetëm në fillimin e minutës së 28-të, pas një skeme të stërholluar të Partizanit nga një goditje këndi, skuadra e drejtuar nga trajneri Ylli Shehu ka gjetur golin me atë të Demirit, që nuk gabon brenda zone. Çerekora e mbetur e pjesës së parë do të flasë më tepër për Partizanin, që e ka shfrytëzuar epërsinë njëgolëshe për të dominuar lojën. Me këtë epërsi të kryeqytetasve do të mbyllet 45-minutëshi i parë.
Ndërsa ai i dyti do të shikojë në fushë një Vllaznia më kërkuese dhe ngulmuese, duke e synuar gjithnjë e më tepër portën e Partizanit. Dhe kjo këmbëngulje do të shpërblehet në minutën e 64-t, kur i futuri në fushë në pjesën e dytë, Ermir Lekaj, ka gjetur rrugën e rrjetës, duke barazuar shifrat për Vllazninë në 1-1. Gjysmëora e mbetur e ndeshjes do të karakterizohet nga përpjekjet e të dyja skuadrave për të gjetur golin që mund të nënkuptonte rrjedhimisht edhe fitoren.
Por herë për shkak të ngutjes, herë për mungesë koordinimin e herë për gabimet e sulmuesve e për meritë të mbrojtësve, goli nuk ka dalë në dritë, ndonëse duhet theksuar se Partizani e pati një rast të mirë 7 minuta para fundit, por Lala vonohet brenda zonës, bllokon mbrojtja. Kësisoj 90-minutëshi i rregullt është mbyllur në barazim 1-1, duke bërë që gjithçka t’i drejtohet goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshave.
Atje ku Vllaznia është treguar më e saktë, duke realizuar 3 nga 4 goditjet e saj, ndërsa Partizani ka realizuar vetëm një gol, duke bërë që shkodranët e drejtuar nga Elvin Beqiri të kurorëzohen kampionë.