Gjergj Vyshka 07.05.2017 12:30
“Ejani mblidhuni këtu!”. Ky ka qenë lajtmotivi i Festivalit të Gjimnastradës për vitin 2017, që është zhvilluar dje në ambientet e kolegjit “Turgut Ozal”. Një veprimtari që ka angazhuar jo vetëm fëmijët e shkollave 9-vjeçare, por dhe atyre të mesme, si për të thënë se kjo rini duhet të merret me kulturë dhe sport. Sepse vetëm kështu mund të largohet nga veset e këqija.
Dhe ekipet e “Center Dance Mimoza”, Qendrave Kulturore të Fëmijëve Durrës, Elbasan dhe Lushnje, Kolegji “Turgut Ozal”, Qendra Ditore “Don Bosko”, Qendra Rinore Pejë, “Roman Bakst”, Ermal Lisha, “Rexhina Dance”, Qendra Kulturore e Prishtinës kanë sjellë vallet e të gjitha trevave shqiptare. Që nga Tropoja e deri në Çamëri, pa harruar kërcimet moderne e klasike, e kanë bërë Festivalin e Gjimnastradës cilësor dhe shumë tërheqës për të gjithë të pranishmit.
E mbi të gjitha dhe një juri cilësor, që nga artistja e merituar e valleve Liljana Cingu, për të vijuar me Artan Pogonin, Maksim Kola dhe Olsi Sherifi kanë dhënë vlerësimet e tyre në fund. Kështu vendet e para kanë qenë për Kolegjin “Turgut Ozal”, Qendrën Kulturore të Fëmijëve Durrës, “Center Dance Mimoza” dhe Pejën. Vendet e dyta kanë shkuar për Prishtina dhe Komuniteti Rom.
E kësisoj Festivali i Gjimnastradës në vitin e tij të 21-të, ndërsa janë dashur 6 muaj për t’u përgatitur, ka përfunduar me sukses. E mbi të gjitha merita i mbetet presidentes së “Albania Gjimnastrada”, Mimoza Mevlani, e cila kërkon kështu të motivojë rininë shqiptare të merret me më shumë art dhe sport.