AlbanianSport.com 05.05.2017 17:15
ASNN – Kampionati i 9 -të Botëror i Fluturimeve të Lira në Precizion, që, sikundër çdo veprimtari madhore sportive, do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka ngritur sot siparin në Vlorë. Në këtë Botëror marrin pjesë rreth 150 pilotë nga 28 vende të ndryshme të botës. Për 10 ditë do të ketë jo vetëm sport ekstrem, por edhe një javë kulturore që do ta kthejë bregdetin vlonjat në skenë të hapur natyrore mes sportit të qiellit dhe trashëgimisë kulturore në tokë.
Me një ceremoni mbresëlënëse në bregdetin e Vlorës ka nisur Kampionati i 9 -të Botëror i Fluturimeve të Lira në Precizion. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe ky Botëror, i pari i këtij lloji në Shqipëri, do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Duke folur në ceremoninë e hapjes, kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, ka shprehur mirënjohjen për zgjedhjen e këtij qyteti si mikpritës. Një vlerësim interesant ka ardhur edhe nga Ministrja për dialog e Kosovës, Edita Tahiri.
Ceremonia e hapjes është përshëndetur edhe nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, nga Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, si dhe kreu i jurisë, Endrju Koh. Kurse presidenti i Federatës Shqiptare të Aeronautikës, Renis Tërshana, e ka cilësuar këtë ditë si kurorëzimin e një pune të jashtëzakonshme. Më pas ka vijuar edhe prezantimi i vendeve pjesëmarrëse, ku kulmi ka qenë padyshim prezantimi i Kosovës dhe Shqipërisë.