Gjergj Vyshka 05.05.2017 09:45
Flamurtari është “kampione” i Shqipërisë në basketboll për femra për herë të 21-të, ndërsa është konfirmuar si skuadra absolute e trofeve kombëtar, teksa dje pasdite ka mundur në finalen e katërt Tiranën, 60-52.
Skuadra vlonjate, nën drejtimin e trajnerit Viron Toska, merr trofeun e 40-të duke llogaritur që ka qenë edhe fituese e Kupës së Shqipërisë, Superkupës së Shqipërisë, apo dhe Kupës së Federatës Shqiptare të Basketbollit në kohën që ajo bëhej.
Ekipi vlonjat kishte fituar dy ndeshjet e para, 62-61 dhe 48-45, por fitorja e Tiranës të dielën e kaluar 63-60 e ndërlikoi situatën. Ndaj u desh ndeshja e 4-t, ndërsa ajo që duhet pranuar është fakti se Flamurtari e pati mbyllur sezonin e rregullt në vendin e tretë, ndërsa në gjysmëfinalen e “play-off”-it pati skualifikuar Goga Basketin.
Pavarësisht se Tirana kishte dhe epërsinë për të luajtur më shumë ndeshje në fushën e vet në krahasim me Flamurtarin, vlonjatet i përmbysën të gjitha. Dhe pas Kupës së Shqipërisë dhe Superkupës së Shqipërisë për sezonin 2016-2017 Flamurtari merr tashmë edhe titullin “kampion”, duke u konfirmuar si skuadra më në formë.