Trofetë në lojërat me dorë për klubin “Vllaznia” duket se këtë sezon nuk do të ndalen vetëm tek titujt kampion të fituar nga ekipet e volejbollit për të rriturve dhe ai i basketbollit për të rinj. Një tjetër titull për ngjyrat kuqeblu është fare pranë. Këtë radhë bëhet fjalë për ekipin e volejbollit për të reja, i cili mesditën e së mërkurës kaloi me sukses takimin e parë final me Skënderbeun, që është zhvilluar në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Vajzat e reja të volejbollit shkodran treguan një formë shumë të mirë sportive duke e mposhtur ekipin korçar në të gjitha drejtimet, me lojë dhe rezultat. 25-17 ka përfunduar seti i parë në favor të Vllaznisë. Në vazhdim volejbollistet vendëse vijojnë të paraqesin një formë shumë të mirë sportive, madje edhe më të mirë se në dy setet e mëparshme, çka e tregojnë edhe vete shifrat; 25-16 dhe 25-13 dhe 3-0 për Vllazninë. Me këtë rezultat, volejbollistet shkodrane, të drejtuara nga trajnerët Mikopli dhe Bardeli, janë fare pranë fitimit të titullit “kampion”.
Pas ndeshjes, trajneri i skuadrës korçare, Erjol Haxhillari, e vlerësoi ballafaqimin final në volejboll për të reja si një vijim i traditës së mirëfilltë që kanë pasur këto dy qytete prej vitesh në volejbollin e femrave. Trajneri i skuadrës shkodrane, Adrian Mikopli, është i bindur në fitimin e titullit kampion, pasi, sipas tij, skuadra korçare nuk do të mund ta përmbysë avantazhin 3-0 të Vllaznisë në Shkodër. Mikopli trofeun kërkon t’ia dedikojë ish-trajneres së këtij ekipi, Alda Kaçorri, e cila u ndal në mënyrë të papritur nga jeta rreth një vit më parë.
Vllaznia – Skënderbeu 3-0
(25-17, 25-16, 25-13)
Vllaznia: Stolaj, Qershija, Molla, Dodani, Memçej, Kiri, Bardeli, Paçrami, Proçeta, Zefi, Kaçi, Kolaj. Trajner: A. Mikopli.
Skënderbeu: Demiraj, Dallaj, Muja, Beshiri, Pelivani, Mitre, Hasaj. Trajner: E. Haxhillari.
Gjyqtarë: E. Zenullari, A. Nurja (Tiranë)