AlbanianSport.com 04.05.2017 18:55
ASNN – Ekipi kinez, që do të marrë pjesë në Botërorin e Aeronautikës ka mbërritur në Tiranë. Në përbërje të tij ka kampionë bote, të cilët kërkojnë të mbrojnë titullin edhe në veprimtarinë që do të zhvillohet në Vlorë. Për ta është hera e parë që vijnë në Shqipëri, një vend për të cilin nuk kanë dëgjuar shumë, por që shpresojnë të mësojnë shumë gjatë qëndrimit këtu.
Ndërsa pjesa më e madhe e skuadrave kanë mbërritur në Vlorë dhe po bëjnë provat për Botërorin, të mërkurën ka mbërritur edhe ekipi nga Kina. Një skuadër pretendente për medalje në Botërorin e 9-të të Aeronautikës. Për Televizionin Shqiptar, ata kanë dhënën edhe përshtypjet e tyre për Shqipërinë. “Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe që të jem i sinqertë nuk kam dëgjuar më parë për vendin tuaj”, – thotë njëri prej tyre.
“Shpresoj të mësojmë shumë gjatë qëndrimit në Vlorë, – ka vijuar ai. – Kemi marrë informacion nëpërmjet federatës tuaj të aeronautikës për organizimin e botërorit të 9-të, dhe shpresoj shumë që në Vlorë të zhvillohet një veprimtari e mirë.” Skuadra kineze ka në përbërje pilotë me përvojë që kanë marrë pjesë edhe në veprimtari të tjera ndërkombëtare, nga të cilat janë kthyer me medalje.
E synimi i tyre edhe në këtë Botëror është të shpallen “kampionë”. “Urojmë që të dalim kampionë. Në skuadrën tonë ka pilotë që janë kampionë bote, por kemi edhe instruktorë shumë të mirë”, – thonë aziatikët. Skuadra kineze është nisur më pas drejt Vlorës ku do të fillojë provat për të qenë e gatshme në ditën e parë të botërorit të aeronautikës, që nis të premten dhe që do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio-Televizioni Shqiptar.