AlbanianSport.com 16.10.2014 07:55
ASNN – Të premten ka nisur java evropiane e futbollit, e cila përfshin ndeshjet e Eliminatoreve të Evropianit 2016 si dhe ato miqësore. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë dje për sportdashësit drejtpërdrejt takimin midis Anglisë dhe Sllovenisë, që është fituar nga vendasit me rezultatin 3-1. Ndërkohë, sonte, në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar do të vijë një tjetër ndeshje, ajo midis Italisë dhe Kroacisë, që luhet duke nisur nga ora 20:45.
Anglia ka korrur dje fitoren e 4-t në po aq ndeshje të grupit E të Eliminatoreve të Evropianit 2016, duke mundur Slloveninë me rezultatin 3-1, në ndeshjen e luajtur në Uembli. Në fakt, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, anglezët i kanë bërë të gjitha vetë. Pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, janë miqtë që kalojnë të parët në epërsi, pas një autogoli të Xhordan Hendersonit në minutën e 57-të. Pësimi i golit duket se i ka zgjuar anglezët dhe vetëm dy minuta më pas, Uejn Runi fiton dhe shndërron në gol një 11-metërsh, duke barazuar gjithçka në 2-1. Vrulli i anglezëve nuk ndalet dhe në minutën e 65-të, Deni Uellbek ka shënuar golin e dytë për vendasit, duke përmbysur kështu shifrat në 2-1. Ndërsa vetëm 7 minuta më pas, është i njëjti lojtar të shënon edhe golin e tretë, dhe të dytin personal, duke vulosur fitoren e anglezëve me rezultatin 3-1. Po për këtë grup, Zvicra mundi Lituaninë 4-0, ndërsa San Marino mori një barazim historik, 0-0, me Estoninë. Mbrëmë janë luajtur edhe ndeshjet e radhës në grupet C dhe G, ndërsa sonte luhen ato të grupeve A, B dhe H. Sonte, në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar do të vijë një tjetër ndeshje e spikatur, ajo midis Italisë dhe Kroacisë, që luhet duke nisur nga ora 20:45.