AlbanianSport.com 15.11.2014 23:45
ASNN – Sulmuesi i Lushnjës, Arbër Allkanjari, i cili një sezon më parë ishte pjesë e Dinamos, këtë kampinat ka pranuar të kthehet tek skuadra e vendlindjes për të kontribuar për skuadrën e zemrës. Barazimi që skuadra myzeqare mori ndaj Butrintit duket se i ka shërbyer pozitivisht në të gjitha aspektet ekipit të Banos.
Në një deklaratë për gazetat sportive të ditës, Allkanjari ka deklaruar: “Pas barazimit që morëm në Sarandë me Butrintin, tashmë na duhet të rikthehemi tek fitorja në ndeshjen që do ta luajmë në shtëpi ndaj Luftëtarit. Padyshim që ky do të jetë një takim jashtëzakonisht shumë i fortë për vetë vlerat që dy skuadrat kanë.”
“Pak a shumë pjesën dërrmuese të futbollistëve të Luftëtarit i kam edhe shok, pasi një pjesë të tyre i kam pasur në skuadër tek Dinamo, – ka vijuar ai. – Shpresoj të jetë një luftë e vërtetë sportive dhe të fitoj më i miri. Shanset i kemi, natyrisht që unë kam dëshirë që të fitoj skuadra e zemrës, Lushnja.”
“Por besoj se me ndihmën e tifozëve kemi për t’ia dalë mbanë”, – ka përfunduar sulmuesi i Lushnjës, Arbër Allkanjari. Nën drejtimin e trajnerit vendës, Artan Bano, skuadra e Lushnjës ka vijuar edhe ditën e djeshme me intensitet përgatitjet e saj për ndeshjen e 22 nëntorit ndaj Luftëtarit në “Roza Haxhiu”.
Në këtë seancë ishin të pranishëm të gjithë futbollistët, që duket se është dhe një lajm i mirë për trajnerin Bano, sepse kështu do të nxjerrë formacionin më të mirë përballë gjirokastritëve.