AlbanianSport.com 21.04.2017 14:20
ASNN – Është hedhur në Nion të Zvicrës shorti i gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve dhe do të jetë një derbi spanjoll, midis Realit të Madridit dhe Atletikos së Madridit, njëra sfidë, ndërsa sfida tjetër është dueli italo-francez, Juventus-Monako. Ndeshjet e para do të jenë Real Madrid-Atletiko Madridt dhe Monako-Juventus.
Në letër, shorti duket favorizues për italianët që eliminuan në çerekfinale Barcelonën, ndërsa dëshira e të dyja skuadrave madrilene për të shmangur njëra-tjetrën para finales së madhe të Kardifit mbeti një dëshirë. Reali do të presë në Bernabeu Atletikon më 2 maj, ndërsa Monako në principatë Juventusin një ditë më vonë.
Ndeshjet e kthimit luhen një javë pas ndeshjeve të para. Dy skuadrat e Madridit, Reali dhe Atletiko përballen për herë të tretë në katër vitet e fundit me njëra-tjetrën në këtë veprimtari, pas dy finaleve te fituara nga “Los Blancos”. Zinedin Zidan dhe Diego Simeone do të vihen përballë njëri-tjetrit për një vend në finale.
Dhe, bashkë me të, për të shkruar historinë. Në njërin krah dëshira e Kristiano Ronaldos për të fituar dhe, nga ana tjetër, fortësia dhe cinizmi i një skuadre si Atletiko e Madridit. Ndërkohë, duket se buzëqesh shorti për Juventusin, që do të përballet me surprizën e këtij sezoni, Monakon.
E shtyrë nga përvoja e Falkaos dhe freskia e të riut Mbape, skuadra e trajnerit Zhardim ishte me më pak përvojë nga skuadrat e shortit gjysmëfinal. Në rrugën e saj drejt gjysmëfinales, skuadra francez eliminoi Mançester Sitin dhe Borusian e Dortmundit, por këtë herë do ketë përballe bunkerin bardhezi.
Juventusi ka pësuar vetëm 2 gola në 10 ndeshjet e Ligës së Kampioneve të këtij sezoni. Nga ana tjetër, bardhezinjtë do të duhen të përballen me shpejtësinë e Mbapesë dhe freskinë e mesfushës së Monakos. Finalja e madhe luhet në Stadiumin “Millenium” të Kardifit, më 3 qershor 2017.