Gjergj Vyshka 21.04.2017 11:35
Pika e shpalljes “kampion” i ka takuar korçares Eleni Bego, e cila ka shënuar pikën e 28-të të setit të tretë me shërbim. 28-26, 3-0 dhe festa është e gjitha e Barletit Volej. Që nga parketi e deri tek tifozët e pranishëm në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” ka vetëm festë. Shampanjë, festë, foto, kupë, medalje e të gjitha të merituara për skuadrën e Hasan Gurabardhit. Kupë dhe medalje edhe për vendin e dytë dhe titullin simbolik të nënkampiones, që i ka takuar Partizanit.
E të gjitha këto trofe janë shpërndarë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, dhe sekretari i përgjithshëm Albens Vokopola. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes ishte Enkelejda Braho, e Barleti Volejit, me 16 pikë e ndjekur nga Eleni Bego, po e Barleti Volejit dhe Ergysa Blloku, e Partizanit, me nga 11 pikë secila, ndërsa 10 pikë realizoi edhe Malvina Tuci e Barletit Volejit. Në bllok ka dalë fituese Fatbardha Picaku, e Barletit Volejit me 3 mure të sakta.
Ajo është pasuar nga Esmeralda Tuci e Partizanit me dy mure të sakta, kurse në shërbim, Çezarina Xheka, e Barletit Volejit, me 4 rezultative, e pasuar nga Kejsi Matraku e Partizanit, me 3 të tilla, si dhe Eleni Bego, dhe Enkelejda Braho, po të Barleti Volejit, apo Ergysa Blloku dhe Melisa Romano Ortega të Partizanit, me nga dy secila. Në total, në 3 sete Barleti Volej ka shënuar 78 pikë, prej të cilave 64 pikë vetë, kurse 14 pikë kanë ardhur nga gabimet e Partizanit.
Në anën tjetër, në 3 sete, Partizani ka realizuar 65 pikë, prej të cilave 46 pikë vetë, kurse 19 pikë kanë ardhur nga gabimet e Barletit Volej, që shpallet kampione edhe duke gabuar kaq shumë.
Barleti Volej – Partizani 3-0 (3-0)
(25-17, 25-22, 28-26)
Barleti Volej: Xheka, Fagu (L), Bego, Picaku, Braho, Hasku, M. Tuci / Xhelilaj, Shabaku. Trajner: H. Gurabardhi
Partizani: Matraku, E. Tuci, Shehu (L), Blloku, Melisa Romano Ortega, Pirra, Meçorrapaj / Kole. Trajner: R. Tarja
Gjyqtarë: Ko. Gjoka, E. Dusha (Tiranë)
Ndihmës: L. Nurçe, A. Nurja (Tiranë)