Gjergj Vyshka 21.04.2017 07:55
Për herë të katërt radhazi, Barleti Volej është shpallur “kampione” e Shqipërisë në volejboll për femra, teksa mbrëmë, në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ka mundur thellësisht Partizanin, me shifrat 3-0. Janë 6 fitore në këtë sezon me Partizanin, 3 herë 3-0 dhe 3 herë 3-1, ndërsa Barleti Volej e ka dominuar të gjithë parketin.
Sepse është njëkohësisht dhe fituese e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, si dhe fituese e Kupës së Shqipërisë. Dhe i ka merituar këto trofe, teksa ka humbur vetëm një ndeshje në të gjithë sezonin, atëherë kur të gjithë e cilësuan të kapitulluar. Sidomos kjo pas largimit të Bicit, Thakës dhe Xhixhës. E nën udhëheqjen e kapitenes Brahos, përvojës së Xhekës, Fagut dhe Malvina Tucit, trajneri Gurabardhi i shtoi dhe të rejat Picaku e Hasku, apo dhe Begon e ardhur nga Korça.
I gjithë ky ansambël, duke lënë mënjanë përforcimet e Partizanit dhe Teutës, apo dhe përvojën e veteraneve të Tiranës, bëri atë që mori 3 trofe, sikurse kishte bërë edhe tre sezone më parë. Emri dhe pesha e fanellës, edhe atëherë kur të gjithë e menduan të pamundur, bën që Barleti Volej të ishte përsëri “kampion”, ndërsa drejtuesit kanë premtuar që do të jenë të tillë dhe në vazhdim.