Gjergj Vyshka 20.04.2017 15:30
ASNN – Referuar etapës së parë të Kupës “Brahim Syka” për kategorinë e paratërinjve dhe të rinjve, e cila u shoqërua me një mot aspak të mirë, reshje të vazhdueshme shiu dhe temperatura të ulëta, figurën më të mirë sportive e bënë çiklistët e Vllaznisë, të cilët, të drejtuar nga trajneri i tyre, Leonard Kola, mbërritën të parët në finish.
Pas nisjes në Milot, pedalimi drejt qytetit të tyre ka qenë i shkëlqyer për djemtë e talentuar shkodranë. Në Bushat, rreth 20 kilometra larg finishit të Shkodrës, dyshja e spikatur shkodrane, Bruno Kola dhe Alfons Rrashkadoli janë shkëputur nga grupi duke mbërritur të parët në finishin e Bulevardit “Zogu i parë”.
Ndërkohë për Nën-23-vjeçarët/Elitën, i pari ka mbërritur në finish Kristel Sota i Apolonisë dhe, pas tij kanë ardhur Olsian Veliaj i Tiranës dhe Marolino Hoxha i Apolonisë. Dita e dytë e Kupës “Brahim Syka” ka në program etapën e dytë, Shkodër-Gomsiqe dhe kthim 70 kilometra për kategorinë paratërinj dhe të rinj, si dhe Shkodër-Pukë dhe kthim 92 kilometra për kategorinë e Nën-23-vjeçarëve/Elitës.
Kupa “Brahim Syka”
Çiklizëm – Meshkuj
Rezultatet teknike të ditës së dytë
Paratërinj/Të Rinj
(Milot – Shkodër, 60.5 km)
1) Bruno Kola (Vllaznia) 1h36’20”
2) Alfons Rashkadoli (Vllaznia) 1h36’21”
3) Sali Ballgjini (Teuta) 1h37’46”
Nën-23-vjeçarët/Elitë
(Kashar – Shkodër, 81 km)
1) Krisel Sota (Apolonia) 2h18’25”
2) Olsian Veliaj (Tirana) 2h20’15”
3) Marolino Hoxha (Apolonia) 2h20’15”