Gjergj Vyshka 20.04.2017 14:25
E vërteta është se Studenti në pjesën e dytë të sezonit të volejbollit të meshkujve ka korrur në 10 ndeshje, 10 fitore radhazi, duke marrë 30 sete e duke humbur vetëm 8. Ndaj dhe eliminimi i Farka Volejit në gjysmëfinalen e “play-off”-it, përkatësisht 3-2 në takimin e parë dhe 3-1 në atë të dytin, nuk është i rastësishëm.
“Gjej rastin, – thotë Shefi i Klubit Shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani, – të them se kam gabuar që nuk e kam besuar atë që po më thoshte trajneri Sako, ndërsa forma maksimale e lojtarëve e ardhur tani në fund të sezonit justifikon gjithçka. Për mua si Studenti, ashtu dhe Vllaznia janë të denja për në finalen e titullit “kampion”.”
“Një shprehje thotë “të vret me fanellë”, – ka vijuar ai. – Kjo ndodh dhe me skuadrën tonë dhe unë jam i bindur se do ta marrim titullin “kampion”. E pyetjes së “Sport Ekspres” nëse kishte për të thënë gjë për Partizanin e Ylli Tomorit, Nallbani do t’i përgjigjej: “Mua më intereson vetëm skuadra ime.”
“E ritheksoj dhe një herë kam trajnerin më të mirë të volejbollit shqiptar, që quhet Arben Sako. Ndaj bindem se do të jemi përsëri kampion”. E duket se titulli “kampion” do të jetë “kapak floriri” për të gjithë, aq më tepër që Studenti u rikrijua nga e para, ndërsa një pjesë e mirë e lojtarëve ikën tek Partizani.