ASNN – Çiklistit të njohur shkodran i kushtohet një Kupë, etapën e parë e fitojnë Bruno Kola për paratërinj e të rinj dhe Krisel Sota për Nën-23-vjeçarët/Elitën. Në vijim të nderimit të figurave të sportit të dyrrotakëve, Federata Shqiptare e Çiklizmit ka nisur dje Kupën “Brahim Syka”.
E veçanta e kësaj kupe qëndron në faktin se në ndryshim nga kupat e mëparshme, në nderim të familjes “Muriqi”, Gani, Ruzhdi dhe Fuat Muriqi, si dhe “Agim Tafili”, të cilët sot nuk jetojnë, veprimtaria në fjalë i kushtohet një figure që jeton dhe vazhdon të jetë pjesë aktive këtij sporti.
Bëhet fjalë për Brahim Syken, një ish çiklist i Vllaznisë dhe i ekipit tonë përfaqësues, i cili ka qenë protagonist i sa e sa sukseseve në vitet 1980-të e në vazhdim. Dita e parë e kësaj veprimtarie ishte pedalimi që bënë çiklistët më të mirë të Shqipërisë dje në itinerarin Milot – Shkodër 60.5 kilometra e gjatë, kjo për kategorinë e kadetëve dhe të rinjve, si dhe Kashar – Shkodër 81 kilometra e gjatë për U-23 dhe elitë. I kënaqur për organizimin e këtij aktiviteti në qytetin e traditave çiklistike të Shkodrës është shprehur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Ai ka evidentuar traditën dhe figurat çiklistike të qytetit verior. Dhe më pas në përgjithësi është ndalur edhe tek figura e Brahim Sykes, të cilin e ka cilësuar si një nga kolosët e sportit të dyrrotakëshit, jo vetëm në Shkodër, por edhe në shkallë kombëtare.
Kupa “Brahim Syka”
Çiklizëm – Meshkuj
Rezultatet teknike të ditës së dytë
Paratërinj/Të Rinj
(Milot – Shkodër, 60.5 km)
1) Bruno Kola (Vllaznia) 1h36’20”
2) Alfons Rashkadoli (Vllaznia) 1h36’21”
3) Sali Ballgjini (Teuta) 1h37’46”
Nën-23-vjeçarët/Elitë
(Kashar – Shkodër, 81 km)
1) Krisel Sota (Apolonia) 2h18’25”
2) Olsian Veliaj (Tirana) 2h20’15”
3) Marolino Hoxha (Apolonia) 2h20’15”