ASNN – Përmes një veprimtarie të organizuar nga Shoqata Publicistike Sportive “Anton Mazreku”, në bashkëpunim me klubin e futbollit të femrave Juban Danja, u përkujtua figura e komentatorit të njohur sportiv, Ymer Striniqi, i ndarë nga jeta dy vite më parë. Për të qenë sa më pranë fushës së futbollit, që Striniqi aq shumë e kishte për pasion, ishte planifikuar zhvillimi i Kupës nën emrin e tij.
Në garë për ta fituar këtë kupë ishin me përfaqësues të televizioneve lokale të Shkodrës, TV1 Channel, TV Rozafa, Star Plus Tv dhe TV Antena. Pas dy ballafaqimeve eliminatore, ku TV1 Channel eliminoi Rozafen me penallti dhe TV Antena, Star Plusin, për të përcaktuar fituesit u luajt finalja mes TV1 Channel dhe TV Antena. Një finale kjo që foli tërësisht për ekipin e TV1 Channel.
Pasi fitoi thellësisht 6-0, ky i fundit u bë fituesi i turneut të parë “Ymer Striniqi”. Në mbylljen e aktivitetit krahas figurave të futbollit shkodran si Hysen Zmijani, apo të gjykimit si Mhill Shkëmbi, ishin dhe kolegë të afërt të Striniqit jo vetëm nga Shkodra, por dhe nga Lezha, Puka dhe Malësia e Madhe. Të pranishëm ishin dhe figura nga sporte të tjera si Eljaz Guri dhe Dushan Vaso.
Apo dhe kampioni i botës në mundje, Elis Guri. Madje ky i fundit, së bashku me nipin e Ymer Striniqit, Eris Fani, dorëzuan kupën për skuadrën fituese TV1 Channel. Të pranishmit janë përshëndetur nga bashkëshortja e të madhit Ymer Striniqi, Perihani.