Gjergj Vyshka 30.03.2017 17:05
Tirana Eagles Basket luan shanset e fundit për t’u ngjitur në Superligë, ndërsa ndeshja e fundit e sezonit të rregullt do të jetë të premten në Sallën Sportive të Bathores ndaj Skënderbeut. Trajneri i kësaj skuadre, Klarent Dedaj, ka bërë dhe një rezyme të asaj çfarë ka ndodhur deri më tani. “Është ndeshja e fundit dhe ne e kemi të sigurt vendin e dytë, ndërsa do të luajmë shanset tona në “Play-off”, – ka deklaruar ai.
“E do të kërkojmë fitoren ndaj Skënderbeut në një sezon me ulje-ngritje, me shumë vështirësi, por me një rezultat pozitiv krahasuar me një vit më parë, – ka vijuar trajneri i kryeqytetasve. – Një sezon me ndërhyrje, afrime e largime lojtarësh, me ulje-ngritje, por me rezultat pozitiv. Kemi luajtur, por ashtu sikurse kemi gabuar ne, kanë gabuar dhe të tjerët me ne.”
“E rasti më i freskët është derbi me Partizanin, 62-68, të cilin gjyqtarët nuk na lanë të shijonim fitoren. Me dashje, apo pa dashje, kjo s’ka rëndësi, por ata vetë e kanë quajtur ndeshje të bukur, kurse ne themi që na ndëshkuan. Gabimet kanë ndodhur dhe do të ndodhin, por kur bëhen të shpeshta nuk na vjen mirë. Gjithsesi ky sezon i dytë mund të cilësohet historik me vendin e dytë në Kategorinë e Parë. E megjithatë ne do t’i luajmë shanset tona deri në fund për në Superligë”, – ka përfunduar Dedaj.