Gjergj Vyshka 28.03.2017 16:15
Parku Olimpik, ashtu sikurse e ka të shkruar në tabelën prezantuese në hyrje të tij, do të inaugurohet në maj. Të paktën ky është premtimi që përsëritet tashmë shpesh nga zyrtarët. Parku Olimpik i Tiranës, atje ku bëhën bashkë të gjitha strukturat zinxhir të sportit, Federatat, por dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, pritet të hapë dyert për sportistët më elitarë të vendit në muajin maj.
Jo vetëm kaq, por në të do të ketë palestra funksionale dhe moderne për peshëngritjen, mundjen, karatenë, boksin, pa harruar këtu dhe sallën sportive. Madje në të, ndërsa tashmë dhe është parë nga drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Shahut, do të ketë dhe një sallë funksionale, e cila do t’i shërbejë më së miri Akademisë së Shahut, që drejtohet nga Mjeshtri i Madh Ndërkombëtar, Erald Dervishi.
Në këtë kompleks të ri sportiv përfshihen të gjitha federatat olimpike, palestrat përkatëse për stërvitje dhe salla e madhe e lojërave me dorë, ku do të organizohen eventet kombëtare e ndërkombëtare të basketbollit dhe volejbollit. Salla e lojërave me dorë ka një kapacitet prej 1200 vendesh dhe në të do të zhvillojnë fazën përgatitore dhe stërvitjen ekipet kombëtare të lojërave me dorë në prag të veprimtarive të tyre ndërkombëtare.
Aq më tepër që volejbolli i meshkujve dhe i femrave do të jetë pjesëmarrës në Ligën e Evropës, ndërsa nga data 9, deri më 11 qershor 2017 për femra në Shqipëri dhe nga data 23, deri më 25 qershor për meshkuj, po në Shqipëri, do të mirëpresin një nga stacionet e kësaj veprimtarie. Pa harruar që kombëtarja e basketbollit të meshkujve, nga data 2, deri më 19 gusht 2017 përballë Austrisë dhe Holandës do të luajë fazën eliminatore të Kampionatit Botëror.