AlbanianSport.com 27.03.2017 16:55
ASNN – Pas atij barazimi pa gola të shtunën në miqësoren e parë, Shpresat e drejtuara nga trajneri Alban Bushi e kanë fituar përballen e dytë me Moldavinë, me nga një gol për secilën pjesë loje. Sikundër takimi i së shtunës, edhe ai i hënës, është sjellë gjithashtu për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kombëtarja shqiptare e Nën-21-vjeçarëve, e cila njihet ndryshe si Shpresat ka mbyllur të hënën pasdite programin e saj të dy ndeshjeve miqësore në këtë fund marsi, ku kundërshtar në të dy takimet është përfaqësuesja e Moldavisë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi e ka fituar miqësoren e radhës me Moldavinë, me rezultatin e pastër 2-0.
Rrjetën i pari e ka gjetur mesfushori Kristal Abazaj, në minutën e 14-të të pjesës se pare pas një aksioni në zonën e kundërshtarit. Me këtë epërsi minimale është mbyllur pjesa e parë, që është dominuar nga loja e kuqezinjve. Në pjesën e dytë, Shpresat kanë gjetur edhe një tjetër gol, pasi ka shënuar futbollisti Bardhec Bytyqi, me një goditje të bukur në ecje e sipër.
Bushi aktivizoi të gjithë kontingjentin e lojtarëve që kishte ne dispozicion. Akti i parë i këtij dueti miqësor është luajtur të shtunën pasdite, në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe, sikundër takimi i së hënës, është sjellë gjithashtu për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kjo sfidë e parë ka qenë e varfër, si në raste, ashtu edhe në gola dhe është mbyllur me rrjeta të paprekura.