AlbanianSport.com 27.03.2017 07:05
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-21-vjeçarëve, e cila njihet ndryshe si Shpresat ka programuar zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore në këtë fund marsi. Kundërshtar në të dy takimet është përfaqësuesja e Moldavisë.
Akti i parë i këtij dueti miqësor është luajtur të shtunën pasdite, në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kjo sfidë e parë ka qenë e varfër, si në raste, ashtu edhe në gola dhe është mbyllur me rrjeta të paprekura. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri Alban Bushi, në daljen për mediat, theksoi se ekipi nuk bëri më të mirën e tij në fazën sulmuese dhe atë mbrojtëse.
Ndeshja e dytë do të luhet sot në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet dhe do të sillet gjithashtu për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 15:00.
Në këtë miqësore të dytë, Bushi pret një tjetër reagim nga skuadra e tij, në kërkim të lojës së mirë, por edhe fitores.