AlbanianSport.com 26.03.2017 23:15
ASNN – Përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës ka mbërritur të dielën në Tiranë. Skuadra boshnjake do të luajë të martën me Shqipërinë një ndeshje miqësore, ditë e lirë kjo e përcaktuar nga FIFA, për skuadrat që nuk kanë ndeshje zyrtare. Përfaqësuesja e Bosnjës ka zhvilluar të dielën pasdite në orën 18.00 stërvitjen e parë në fushën e Stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Trajneri boshnjak ka në dispozicion për miqësoren me Shqipërinë lojtarë që luajnë me klube të mëdha evropiane, si portieri Begoviç tek Çellsi, Edin Xheko, Luliç, Sunjiç, Kruniç e Zukanoviç në Serinë A, etj. Ndërsa Pjaniç nuk ka udhëtuar me skuadrën për këtë miqësore. Juventus ka për të zhvilluar disa ndeshje të rëndësishme si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve.
Nën drejtimin e trajnerit Mehmed Bazhdareviç, përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës, ka zhvilluar një seancë të lehtë stërvitore në Tiranës. Ndërsa të hënën, ajo do të udhëtojë drejt Elbasanit, për t’u stërvitur në orën 18:00 në Stadiumin “Elbasan Arena” aty ku të martën, duke nisur nga ora 18:00, do të luhet miqësorja Shqipëri-Bosnjë-Hercegovinë.