Gjergj Vyshka 26.03.2017 09:35
Tirana çfarë spektakli në Fahrie Hoti! Kjo jo vetëm në parket, por dhe në shkallët e tribunave, atje ku “Tirona-Fanatiks”, duke mos pushuar për asnjë minutë, i jep jetë skuadrave të basketbollit.
Sidomos dje ka qenë impuls pozitiv për femrat e Roland Avramit, që pasi kanë fituar ndeshjen e tyre më të rëndësishme të fazës së dytë, atë me Flamurtarin, kanë festuar së bashku me ultrasit e “Tirona-Fanatiks”.
Dhe duket se edhe ato gradualisht janë në të njëjtin ritëm me djemtë, që kanë fituar me Ardhmërinë Basket e në fund, si gjithmonë, festë e përbashkët me “Fanatiksat”, që tek meshkujt janë zhveshur edhe gjysmëlakuriq.
E kësisoj spektakli bardheblu është ngjyrosur me fitoret shumë të rëndësishme të Tiranë për femra e për meshkuj në basketboll, ndërsa të dy ekipet mund të konsiderohen pretendente serioze për titull “kampion”.