Gjergj Vyshka 25.03.2017 15:15
Gentian Cici, ndërkombëtari i basketbollit shqiptar, i është rikthyer gjykimit në arenën ndërkombëtare, edhe pse përpara 3 ditësh ka qenë në çerekfinalet e FIBA Europe Cup për meshkuj, Elan Shalon-Cibona 83-78.
Cici dje ka qenë gjyqtar i parë në ndeshjen gjysmëfinale për femra Belona Agu-Hataj BB 64-58 (14-18, 11-16, 19-8, 20-16). Me të, gjyqtare e dytë ishte serbja Jasmina Juras, kurse i tretë slloveni Marko Vuçkoviç e vëzhgues hungarezi Ivan Bodrovgari.
Kësisoj, me 15 ndeshje në Ligën e Kampioneve, 5 në FIBA Europe Cup për meshkuj, 2 në Euroligën për femra, por tashmë me dy ndeshje në FIBA Europe Cup për femra, Cici ka arritur në kuotën 24 ndeshje ndërkombëtare.
Ndërsa më 5 prill do të jetë në një tjetër gjysmëfinale për FIBA Europe Cup për meshkuj në Gjermani. “5,000 kilometra brenda një jave”, thotë me humor Cici, por mbetet në vëmendje të ndërkombëtarëve.
Por, praktikisht këtë javë nuk do të mund të jetë për ndeshje të rëndësishme të kampionatit, sikurse nuk do të jetë as në finalet e Superkupës së Shqipërisë, më 4 dhe 5 prill 2017. E gjithsesi ai është vlerë e shtuar me gjykimet e tij për basketbollin shqiptar.