Gjergj Vyshka 23.03.2017 14:35
Nëntë ekipe, që ishin Vllaznia, Teuta, Partizani, Apolonia, Lushnja, Burreli, Besa, Elbasani dhe Skënderbeu, kanë sjellë në garë 50 çiklistë. Gara ka nisur si një demonstrim në zbritjen e kalasë së Prezës, por në një moment të kalimit të shinave të trenit, dy çiklistë, njëri i Vllaznisë e tjetri i Besës, bëjnë defekt. Sidoqoftë, nisje zyrtare e garës nga kryegjyqtari Hilmi Gjyzeni dhe pjesa tjetër e gjyqtarëve, që nga Burhan Berisha, Abedin Guzja, Luan Sallaku, Ardian Dreri, Pavli Karaj, etj. është në rrugën ku ndahet për të shkuar në Fushë-Krujë e Vorë.
Është vonuar për gati 17 minuta nisja, sepse çiklistët e Skënderbeut kanë vonuar të bëhen gati. Sidoqoftë, që nga vija e nisjes deri në Vorë, Maminas, Sukth, rrethrrotullimi i Shijakut e deri në daljen e rrugës Plepa-Ndroq çiklistët kanë pedaluar në grup, gjithnjë nën udhëheqjen e Vllaznisë, që ka qenë dje në garë me gati dy ekipe. E në rrugën Plepa-Ndroq, diku për mungesë të mirëmbajtjes, apo dhe të rrëshqitjes e çarjes së asfaltit, aq më tepër që janë krijuar dhe gropa, çiklistët kanë vështirësi. Aq sa për t’i devijuar gropave janë rrëzuar 3 sportistë, një i Vllaznisë, një i Besës dhe një i Burrelit.
Por për fat pa problem. Madje çiklistët kanë pasur vështirësi dhe në kontrollin e biçikletës për shkak të këtyre gropave. Gjithsesi pa shumë problem. E në urën për të dalë në kthesën e Arbanës çiklistët ndeshen me një të papritur të pakëndshme. Një motoçikletë që vinte nga një rrugë dytësore gati është përplasur me ta. Vetëm thirrja e çiklistëve dhe duart lart e kanë bërë motoçiklistin të frenojë e më pas të vijojë rrugën e vet. Në ngjitjet e zonës së Arbanës, çiklistët nisin të ndahen në grupe të vogla. Por ndarja më e madhe ka ardhur në finishin në Kalanë e Petrelës.
Atje ku i pari është Astrit Krronaj i Vllaznisë me kohën 1h40’33”. I dyti pas tij me një sekondë larg është fieraku Amarildo Gogaj dhe i treti Bruno Kola i Vllaznisë me kohën 1h40’50”. Për t’i nderuar dhe për t’i shpërndarë çmimet ishin Gazmend Kopliku, Hilmi Gjyzeli dhe Galip Taho, ndërsa kupën fituesi Krronaj, 16-vjeçari që sfidoi dhe mbi moshë, e ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku. Për tre vendet e para kishte dhe shpërblim; 15.000 lekë vendi i parë, 10.000 lekë vendi i dytë dhe 5,000 lekë vendi i tretë.
Trofeu i Kalave në Çiklizëm
(Kalaja e Prezës – Shijak – Kalaja e Petrelës – 103 kilometra)
Rezultatet teknike të garës:
Nr. Çiklisti / Ekipi Koha
- Astrit Krronaj (Vllaznia) 1h40’33”
- Amarildo Gogaj (Apolonia) + 1”
- Bruno Kola (Vllaznia) 1h40’50”