Gjergj Vyshka 23.03.2017 09:10
Presidenti i Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizaj, ka zbuluar dje se Federata Botërore e MMA-së i ka kushtuar një vëmendje të veçantë këtij sporti që zhvillohet në vendin tonë. Mbi të gjitha i është kushtuar vëmendje Ermal Hadribeajt, i cili më 2016-ën është shpallur “kampion i Evropës. Dhe në Kampionatin e radhës, i cili do të zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, nga data 29 mars, deri më 3 prill 2017, Shqipëria e MMA-së do të përfaqësohet nga Ermal Hadribeaj në peshën 70 kilogram dhe Florian Doskja në peshën 66 kg.
“E kjo është një kënaqësi e madhe që flamuri ynë kuqezi do të jetë mes flamujve të shteteve të tjera të botës, – ka deklaruar Presidenti i Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizaj. – Është sakrificë që secili sportist ka mundësuar vajtjen në Sofje me financat e veta. Madje, edhe me mundësimin tim, ndërsa ka pasur interesim nga Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Duhet të vlerësoj dhe vëmendjen që po tregohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në mënyrë të veçantë specialisti i sporteve, Arjan Konomi.”
“Shpresoj shumë që MMA të rritet gjithnjë dhe me e sigurt në vend. E kjo shtysë na jep kurajë që të lartësojmë vlerat dhe nxisim rritjen e imazhit të kombit tonë shqiptar. Mirënjohje për të gjithë ata që në kohë të ndryshme kanë ndihmuar Federatën Shqiptare të Ndeshjeve të Lira. U uroj dy sportistëve që të arrijnë rezultate të larta në këtë aktivitet”, – ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizaj.