Gjergj Vyshka 22.03.2017 18:00
Kapiteni i Studentit, Blerim Pepaj, ka sqaruar dje për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, incidentin me Hendi Konon e Partizanit, apo dhe lojtarë të tjerë të kuq, që ka ndodhur në setin e tretë të ndeshjes të së premtes. Sipas Pepës, nuk ka qenë ai i pari që ka reaguar. “Por ishte Kono, i cili reagoi në momentin që unë u ktheva nga ana rrjetës e më pas jam kundëpërgjigjur dhe unë”, – ka sqaruar ai.
“Nuk i ngrita duart lart, sepse lart i kisha, pasi rashë nga blloku më parë, – ka vijuar volejbollisti i kampionëve në fuqi. – As nuk bërtita dhe as nuk bëra ndonjë gjest që është i dënueshëm, por më pas u ktheva nga skuadra ime. U ktheva që të nisnim menjëherë lojën për të vazhduar me synimin për të marrë pikën e radhës. Pati reagim nga Kono, i cili, nga mërzitja, kërkon të më jepte mua urdhra dhe të më mësonte se çfarë duhet të bëja.”
“E pastaj ka ardhur i gjithë ekipi i Partizanit për të më bërë mua presion. Madje në fushën tonë”, – thotë Pepaj, i cili më pas ka shfaqur dhe objektivin e Studentit. “Për ne, – thotë Pepaj, – të gjitha ndeshjet janë finale. Objektivin e kampionatit, që ishte kualifikimi për në fazën finale për titull “kampion”, e kemi arritur. Tani nis objektivi i “play-off”-it final. Luftojmë për fitore në çdo ndeshje dhe për të marrë trofe. E, më pas, parketi do ta tregojë.”