Gjergj Vyshka 22.03.2017 12:30
Sakaq, nga ana e Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Volejbollit është analizuar dhe rasti i ndeshjes së meshkujve, Partizani-Studenti 1-3, atje ku në setin e tretë në rezultatin 22-21 për të kuqtë pas bllokut të Pepës ka pasur një tensionim të situatës. Sepse përveç debatit me Konon, ndërsa të dy lojtarët janë ndëshkuar me kartonë të kuq, për t’u konfrontuar me Pepën kanë ardhur edhe Memia, Kasaj dhe Malaj.
Ndaj Komisioni i Disiplinës ka vendosur: Lojtarët Blerim Memia, Klodian Kasaj, Kreshnik Malaj dënohen me 1 (një) ndeshje pezullim, shoqëruar me një gjobë 10.000 lekë të rinj për secilin lojtar; ekipi i Studentit, për moszbatim të rregullores në lidhje me uniformën e lojës për skuadrën udhëtuese, gjobitet me 10.000 lekë të rinj; vërejtje paralajmëruese për lojtarët e të dyja ekipeve, që në rast përsëritje të sjelljeve në kundërshtim me rregullon e brendshme do të merren masat e parashikuara në të.
Pa u analizuar nuk ka mbetur as ndeshja Flamurtari-Korabi 0-3, e vlefshme për nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, që njihet si grupi A2, sepse është paralajmëruar trajneri i dibraneve, Fehmi Bulku, të mos kryejë sjellje, të cilat bien në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme dhe Kodin e Etikës. Nëse do të ketë përsëritje të sjelljeve të tilla, do të merren masat përkatëse, bazuar në dokumentet e mësipërm.