Gjergj Vyshka 22.03.2017 09:45
Dënohet deri në fund të sezonit Gashi i Elbasanit, me një ndeshje pezullim Memia, Malaj dhe Kasaj të Partizanit e Ndoni i Tiranës. E dy ndeshje pezullim edhe për gjyqtarin Çaush Kojku. Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Volejbollit, i mbledhur të hënën pasdite, ka qenë me dorë të ashpër në vendimet e tij, ndërsa kështu është munduar “t’u vërë fre” problemeve dhe tensioneve që po shoqërojnë rrjetën shqiptare në këtë fund sezoni.
Aq më tepër që është dhe në prag të fazës finale për titull “kampion”. Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Volejbollit, të paktën edhe sipas komunikatës shpërndarë për mediat, ka argumentuar se gjithçka është mbi bazën e Rregullores së Brendshme, Kodit të Etikës dhe Rregullores së Disiplinës së Federatës Shqiptare të Volejbollit. E gjithçka është analizuar mbi bazën e relacioneve të gjyqtarëve. Rasti më i rëndë është ndeshja e prapambetur e volejbollit të meshkujve, Elbasani-Farka Voleji.
Ajo është ndërprerë në rezultatin 9-11 për miqtë në setin e dytë pas një sherri masiv, atje ku ka pasur dhe goditje për lojtarët miq. Kështu Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Volejbollit vendosi që volejbollisti i Elbasanit, Muhamet Gashi, dënohet me pezullim për pjesën e mbetur të Kampionatit Kombëtar, shoqëruar me një gjobë prej 20.000 lekësh të rinj.
Po kështu, është vendosur që ndeshja e ndërprerë Elbasani-Farka Volej do të riluhet në fushë neutrale, pa praninë e spektatorëve, në një datë që do të vendoset nga FSHV-ja (në varësi të gatishmërisë së sallës ku do të luhet ndeshja), pas një vendimi që do të marrë Federata; Vërejtje paralajmëruese për lojtarët e të dyja ekipeve, që në rast përsëritje të sjelljeve në kundërshtim me rregullon e brendshme do të merren masat e parashikuara në të.