ASNN – Nuk kanë mjaftuar tre amerikanët e mëparshëm, Frilavë, Xhekson dhe Palmer, që mbërritën në merkaton e janarit, duke e çuar në 5 numrin e afrimeve tek skuadra shkodrane. Por, që nga dita e martë, Vllaznia ka zyrtarisht të vetin edhe basketbollistin tjetër amerikan, Kris Oliver.
Në këtë mënyrë, numri i amerikanëve kuqeblu shkon në katër dhe ai i përgjithshëm i merkatos në 6. Natyrisht, një shifër që në fillim të sezonit askush nuk e mendonte, por e gjitha kjo vjen si dhuratë nga ana e presidencës kuqeblu, Dibra-Muho, të cilët me qëllim mbajtjen e titullit “kampion”, për herë të 4-t radhazi në Shkodër, nuk kursehen fare në këtë drejtim.
I gjatë 2 metra dhe 4 cm, basketbollisti amerikan me banim në Çikago, i cili në sezonin e fundit ka qenë pjesë e ekipit “Ylli” i Suharekës në Kosovë, është prezantuar përpara medieve mesditën e së martës. Me të ka qenë edhe inspektori i lojërave me dorë në klubin shumësportësh “Vllaznia”, Astrit Zaganjori, e më pas Oliver është vënë në dispozicion të trajnerit Sharin dhe Gjeçaj, në seancën e tij të parë stërvitore si kuqeblu.