AlbanianSport.com 20.03.2017 12:15
ASNN – Ndeshja e 5-të e Kombëtares shqiptare në grupin G të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018” është ajo kundër Italisë. Në Palermo, kuqezinjtë do të luajnë një ndeshje të vështirë, pasi Italia po kalon një moment të mirë. Ndërsa për Shqipërinë e De Biazit, dëmtimet dhe mungesat në formacionin kryesor vazhdojnë të jenë problem.
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë të premten ndeshjen e radhës të vlefshme për grupin G të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”. Përballë kuqezinjve do të jetë Italia një kundërshtar aspak i lehtë. Por situata tek Kombëtarja nuk është aspak e mirë përsa u përket dëmtimeve.
“Kombëtarja nuk po kalon një moment të mirë, përsa u përket dëmtimeve apo lojtarëve që kanë luajtur pak minuta me skuadrat e tyre, por kjo nuk do të thotë që të mos jemi të motivuar për këtë ndeshje”, – ka thënë trajneri i Shqipërisë, Xhovani De Biazi. – Të përgatisësh ndeshje me kundërshtarë të vështirë, për mua është një motiv më shumë.”
“Italia nuk është e panjohur për mua, por nuk do të harrojmë se janë 4 herë “kampionë bote”, – ka vijuar ai. – Ata po kalojnë një moment të mirë dhe futbollistët por shënojnë në çdo ndeshje. Por, nga futbollistët e mi, kërkoj të japin 110 % të tyre kundër Italisë.” Por, a do të ketë një rezultat surprizë kundër Italisë?
“Inshalla, – është përgjigjur De Biazi, duke përdorur një shprehi tipike popullore shqiptare, – por do të jetë fusha ajo që do të japë verdiktin final. Do të isha super i kënaqur nëse do të fitoja me Italinë. Do të përgatitemi maksimalisht për t’u përballur me Italinë. Objektivi im mbetet vendi i dytë në grup, pasi i pari është shumë i vështirë për t’u arritur.”
“Kur të zbresim në fushën e stërvitjes do të bisedoj me djemtë për të parë se si janë, – ka theksuar trajneri kuqezi. – Ndërsa përsa i përket strategjisë, kemi biseduar dhe e kemi vendosur më parë me Markon gjatë kësaj jave.” Më pas është prezantuar edhe ndihmësi i ri i De Biazit, Marko Veroneze, i cili ka zëvendësuar Paolo Tramexanin.