AlbanianSport.com 18.03.2017 12:05
ASNN – Provokimit të një lojtari të skuadrës mike, vendësit i janë përgjigjur me nerva dhe kacafytje, aq sa është dashur ndërhyrja e stafeve për t’i ndarë. Ndeshja e volejbollit të meshkujve mes Elbasanit dhe Farka Volej, në fakt e prapambetur, ka degjeneruar në sherr dhe grushte.
Në setin e dytë ka mjaftuar një pikë për skuadrën mike, në një bllok të lojtarëve të Farka Volej, dhe një nga lojtarët e skuadrës së Dritan Bardhit ka bërtitur në rrjetë duke provokuar në njëfarë mënyrë një nga lojtarët elbasanas dhe aty nervat nuk kanë mbajtur më.
Fillimisht ka nisur një kacafytje midis të dyve dhe më pas janë futur për t’i ndarë sportistët dhe kampet respektive të të dyja skuadrave. Pasi situata u qetësua situata u mendua se loja do të rifillonte sërish. Por nuk ndodhi kështu, sepse në pallatin e sportit “Tomorr Sinani” nuk ishin të pranishme forcat e rendit.
Në këtë mënyrë, sipas të gjitha gjasave, vendasit e humbin ndeshjen në “tavolinë” 0-3 për shkak të mospërmbushjes së organizimit të një ndeshje. Megjithëse ky rezultat mbetet për t’u homologuar nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Volejbollit.