Gjergj Vyshka 17.03.2017 15:45
Ish-volejbollisti Hasan Gurabardhi rrëfen historinë e rrjetës shijakase, ekipi me tituj kampion e Kupa Shqipërie, por pa Pallat Sporti. Është absurde, por një qytet me tradita si Shijaku nuk ka pallat sporti, ndërsa edhe kur ka dalë “kampion” ka luajtur në terren të hapur, të cilin sot nuk e mendojnë as fëmijët, apo ato që hedhin hapat e para në sportin e rrjetës.
Sipas Hasan Gurabardhit, shijakasit në gen janë volejbollist dhe e duan këtë sport. “E vetmja herë që u bë një tentativë për Pallat Sporti ishte viti 2005, teksa me iniciativën e Agron Dukës, asokohe ministër i Bujqësisë, u lëshua një fond për ndërtimin e Pallatit të Sportit nga qeveria Nano. Janë derdhur 250 milionë lekë te themelet dhe kapriata e ashtu ka ngelur sot e kësaj dite.
“Gjej rastin të falënderoj kryebashkiakun aktual, Ardian Kokomanin, që e rikrijoi sërish ekipin e volejbollit të meshkujve, pas disa viteve mungesë. Ky sport është me perspektivë, sepse në Shijak ky sport është në genin e njerëzve, ndërsa shijakasit luajnë volejboll shumë mirë në çdo kohë”, – ka përfunduar trajneri i Barleti Volejit, Hasan Gurabardhi.
3 herë është shpallur Erzeni “kampion” i volejbollit shqiptar në sezonet 1996-1997, 1997-1998 dhe 1998-1999. Në Kupën e Kampioneve të Evropës, pati kaluar një tur. Ndërkohë, dy herë është fitueses e Kupës së Shqipërisë Erzeni i Shijakut dhe kjo në sezonet 1997-1998 dhe 1998-1999, duke e dominuar atë periudhë 4-vjeçare të volejbollit për meshkuj.