AlbanianSport.com 17.03.2017 14:40
Miqësorja e luksit në basketboll për meshkuj mes Tirana Eagles Basket dhe Tiranës, e planifikuar për t’u zhvilluar dje në ora 20:00 në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, është shtyrë.
Shkaku nuk ka qenë mosakordimi mes ekipeve, aq më tepër që drejtuesit e të dy skuadrave, Klarent Dedaj dhe Nikola Milatoviç, e kishin gjetur gjuhën e përbashkët për zhvillimin e kësaj miqësoreje.
Por sepse “Fahrie Hoti” është zhvilluar dhe një miting i Partisë Socialiste me banorët e lagjes, ku ndodhet Salla Sportive në fjalë, në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.
“Për arsye objektive miqësorja Eagles Basket- Tirana nuk do të zhvillohet sot (dje), por në një ditë tjetër, që do të ripërcaktohet nga të dyja skuadrat në ditët në vazhdim. Duke ju kërkuar ndjesë besojmë të na mirëkuptoni”, – ka lajmëruar Dedaj.
Ndërsa është vendosur zyrtarisht që ndeshja Tirana Eagles Basket-Elbasani, e vlefshme për kampionat, të zhvillohet të shtunën në ora 13:00 në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, kurse Tirana do të luajë në Durrës përballë Teutës vendëse.