AlbanianSport.com 16.03.2017 09:45
ASNN – Emocionet e veprimtarive madhore sportive ndërkombëtare do të vijnë drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar sonte dhe nesër në mbrëmje, me dy sfida të spikatura futbolli dhe basketbolli. E para është ajo që do të vijë sonte, duke nisur nga ora 21:05, sfida midis Romës dhe Olimpikut të Lionit.
Kjo ndeshje e kthimit, e vlefshme për turin e 16-shes së Ligës së Evropës në futboll, vjen vetëm një javë pasi francezët dhe italianët dhuruan spektakël në ndeshjen e parë midis tyre. Roma e mbylli pjesën e parë në epërsi 2-1, por Lioni përmbysi gjithçka në të dytën, duke fituar me shifrat 4-2.
Për këtë arsye, ndeshja e kthimit premton spektakël, ndërsa kjo është një nga 5 sfidat që luhen duke nisur nga ora 21:05. Tri takime të tjera, Beshiktash-Olimpiakos, Krasnodar-Celta Vigo dhe Genk-Gent, nisin në ora 19:00. Me përjashtim të derbit belg, të gjitha çiftet e tjera janë të hapura sa i përket kualifikimin për në turin tjetër të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit.
Ndërkaq, një tjetër veprimtari kontinentale, por këtë herë, e basketbollit, do të vijë të premten në Rrjetin e Radio-Televizonit Shqiptar, me transmetimin e drejtpëdrejtë të sfidës së Euroligës, midis Baskonias dhe CSKA-së së Moskës. Kjo ndeshje luhet të premten në mbrëmje, duke nisur nga ora 21:00.