Nderim Goci (Krujë) 15.11.2014 08:45
ASNN – Më në fund, skuadra e Kastriotit, njeh dhe trajnerin e ri. Nga sot në stolin krutan, do të ulet Alert Alcani. Lajmin e bën të ditur për AlbanianSport.com, presidenti i klubit krutan, Artan Djala. Palët kanë rënë dakort që 35-vjeçari të jetë në postin e trajnerit deri në fund të sezonit. Lezhjani është i njohur në opinionin sportiv, pasi ka luajtur me disa skuadra të vendit tonë, duke filluar nga skuadra e vendlindjes, Besëlidhja e Lezhës e deri te kampionët e Skënderbeut.
Gjatë karrierës së tij futbollistike ka provuar të veshë dhe bluzën e skuadrës së njohur të kampionatit rumun, Gloria BIstrica. Emërimi në postin e trajnerit të skuadrës krutane është eksperienca e parë për të në fushën drejtimit, edhe pse më parë ka qenë pjesë e stafit të skuadrës së Partizanit B, që konkurron në Kategorinë e Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
“Me gjithë emrin të respektuar që ka në futbollin shqiptar, skuadrën e Kastriotit e njoh pak, – ka deklaruar Alcani për AlbanianSport.com. – Shpresoj, se pavarësisht gjendjes jo të mirë që ka skuadra momentalisht , ta kaloj shpejt dhe me suskes. Kam besim se një gjë e tillë do të arrihet edhe falë bashkëpunimit që do të kem me stafin dhe presidentin.”. Ende nuk dihet se kur trajneri i ri do të prezantohet zyrtarisht para skuadrës krutane.
Sipas presidentit Djala, ka të ngjarë që trajneri i ri të prezantohet ditën e hënë, por nuk përjashtohet dhe dita e sotme. Prej disa ditësh,që nga tërheqja e Shkëlzen Rustamit, është stërvitur nga trajneri i portierëve, Dashnor Hasani.