AlbanianSport.com 15.03.2017 12:30
ASNN – Kualifikimi i Kombëtares shqiptare të futbollit në Evropianin “Francë 2016” dhe pranimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA, kanë qenë dy momentet më të rëndësishme për vitin 2016. Kështu eshtë shprehur presidenti i FSHF-së, Armando Duka gjatë punimeve të asamblesë vjetore. Më tej ai ka theksuar rritjen e konkurrencës në kampionatet tona të futbollit për meshkuj dhe femra, suksesin e futbollit të sallës si dhe kualifikimin e gjyqtarëve.
Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar Asamblenë e Përgjithshme Vjetore, ku ka analizuar punën e saj gjatë 2016. Presidenti i FSHF, Armando Duka ka theksuar si dy nga momentet më të rëndësishme, kualifikimin historik të Kombëtares në fazën finale të Evropianit “Francë 2016” dhe pranimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA. Presidenti Duka ka vlerësuar futbollin në vend, duke vënë theksin te konkurrenca e krijuar midis ekipeve në Kategorinë Superiore.
Gjë që, sipas tij, ka rritur cilësinë e lojës dhe numrin e tifozëve në stadium. Por edhe në futbollin e femrave është për t’u vlerësuar puna e trajnerëve si dhe rritja e numrit të ekipeve. Ndërsa një sukses është edhe futbolli i sallës, me kualifikimin në eliminatoret e evropianit. Duka ka vlerësuar edhe sektorin e gjykimit. Të pranishëm në asamble ishin përfaqësues të të gjitha klubeve të futbollit në vend, përfaqësues të ministrisë së arsimit dhe sportit, Komitetit Olimpik shqiptar.
Po kështu, ishte edhe presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri. Asamblenë Vjetore të FSHF-së e ka përshëndetur edhe përfaqësuesja e UEFA-s, Eva Paske.