AlbanianSport.com 13.03.2017 16:15
ASNN – Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka mbyllur sot javën e 19-të, që ishte edhe para e fazës së 3-të të saj, me takimin që u luajt pasdreke, midis Bylisit dhe Pogradecit.
Pasi ka sjellë të premten duelin Erzeni-Besëlidhja dhe të shtunën takimin Burreli-Kamza, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë sot edhe takimin e fundit, të vlefshëm për Grupin B, apo grupin e Jugut.
Sfida e sotme midis ballshiotëve dhe liqenorëve ishte e vlefshme për mini-grupin e skuadrave që luftojnë për ngjitjen në kategori më lart. Kjo ndeshje, e drejtuar me saktësi nga gjyqtari Orlando Kuka, është vendosur praktikisht që në gjysmëorën e parë të saj.
Bylisi ka shënuar 3 herë, një herë me anë të Mitrajt, në minutën e 5-të, dhe dy herë me anë të Izuçukut, në minutat 17 dhe 29, duke vulosur fitoren, pse 60 minutat e mbetura nuk do të sjellin gola të tjerë.
Ballshiotët mbeten në vendin e dytë të renditjes, me 22 pikë, dy më pak sesa Lushnja kryesuese, ndërsa Pogradeci mbetet i 3-ti, me 15 pikë.